Kaloni te përmbajtja

Përdorimi i telefonit nga fëmijët – çfarë thonë studimet e fundit dhe rekomandimet globale?!

Nga FLETËZA

Përdorimi i telefonit nga fëmijët – çfarë thonë studimet e fundit dhe rekomandimet globale?!

Në epokën dixhitale, fëmijët po rriten me qasje të paparë në telefonat e zgjuar dhe pajisje të tjera me
ekran. Ndërsa teknologjia ofron shumë mundësi edukative, studimet e fundit dhe organizatat e
ekspertëve po ngrenë gjithnjë e më shumë shqetësime për përdorimin e tepërt të telefonave nga
fëmijët dhe ndikimet e tij të mundshme në zhvillimin, shëndetin mendor dhe mirëqenien e tyre.

Shtimi kohës së fëmijëve para ekranit
Sot, telefonat janë bërë të kudondodhur, me fëmijët që kalojnë më shumë kohë para ekraneve se kurrë
më parë. Sipas një raporti të vitit 2020 nga Common Sense Media, fëmijët e moshës 8 deri në 12 vjeç në
SHBA kalojnë mesatarisht gati pesë orë në ditë në ekrane, ndërsa adoleshentët mund të kalojnë më
shumë se shtatë orë. Këto statistika nuk përfshijnë as kohën e shpenzuar për detyrat e shkollës.
Ndërsa telefonat ofrojnë qasje në përmbajtje të vlefshme arsimore dhe ndërveprim social, ekspertët
paralajmërojnë se përdorimi i tepërt mund t’i shpie në pasoja negative, si fizike ashtu dhe mendore.

Çfarë thonë studimet?

Ndikimi në zhvillimin e trurit
Studimet kanë treguar se koha e tepërt para ekranit mund ta ndryshojë trurin në zhvillim të fëmijëve të
vegjël. Hulumtimet e financuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë në SHBA (NIH) zbuluan se fëmijët
që shpenzonin më shumë se dy orë në ditë para ekraneve kishin rezultate më të ulëta në testet e gjuhës
dhe të të menduarit. Për më tepër, skanimet e trurit të fëmijëve që kalojnë më shumë se shtatë orë në
ditë në ekran tregojnë hollimin e parakohshëm të korteksit, shtresës më të jashtme të trurit që është
përgjegjëse për përpunimin e informacionit shqisor dhe funksionet ekzekutive.

Shqetësimet e shëndetit mendor
Studime të shumta kanë lidhur gjithashtu përdorimin e tepërt të telefonit me rritjen e shkallës së
ankthit, depresionit dhe çrregullimeve të lidhura me vëmendjen. Një studim gjatësor i botuar në JAMA
Pediatrics zbuloi se fëmijët me kohë më të madhe para ekranit kishin më shumë gjasa të shfaqnin
probleme të sjelljes si hiperaktiviteti dhe vështirësitë emocionale. Lidhja dhe ekspozimi i vazhdueshëm
ndaj platformave të mediave sociale mund të çojë në çështje të tilla si ngacmimi kibernetik dhe ndjenjat
e papërshtatshmërisë, përkeqësimi i stresit dhe çështjet e vetëvlerësimit te ta.

Ndërprerja e gjumit
Koha para ekranit, veçanërisht para gjumit, mund të ndërhyjë në modelet e gjumit të fëmijëve. Drita e
kaltër e emetuar nga telefonat mund të vonojë lirimin e melatoninës, hormonit që rregullon gjumin,
duke ua vështirësuar fëmijëve të bien dhe të qëndrojnë në gjumë. Gjumi i dobët shoqërohet me
probleme të shumta shëndetësore, duke përfshirë çështjet kognitive, çrregullimet e humorit dhe një
sistem të dobësuar imunitar.

Rekomandimet e Organizatave Botërore të Shëndetit
Disa organizata kryesore kanë nxjerrë udhëzime që i ndihmojnë prindërit dhe kujdestarët të
menaxhojnë në mënyrë efektive kohën para ekranit të fëmijëve.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) – rekomandon që fëmijët e moshës 2 deri në 4 vjeç nuk
duhet të kenë më shumë se një orë qëndrim të ulur para ekranit në ditë, ndërsa fëmijët nën 2 vjeç duhet
ta shmangin plotësisht kohën para ekranit. Organizata thekson rëndësinë e zëvendësimit të kohës para
ekranit me lojëra aktive, ndërveprime ballë për ballë dhe gjumë cilësor.
Akademia Amerikane e Pediatrisë (AAP) – i këshillon prindërit që ta shmangin përdorimin e mediave
dixhitale (përveç bisedës me video) për fëmijët më të vegjël se 18 muajsh. Për fëmijët e moshës 2 deri
në 5 vjeç, koha para ekranit duhet të kufizohet në një orë në ditë dhe atë me përmbajtje të cilësisë së
lartë. Po ashtu, kjo akademi rekomandon që fëmijët mbi 6 vjeç të kenë kufizime konsistente gjatë
përdorimit të mediave përkatëse, duke u siguruar që ato të mos ndërhyjnë në gjumin, aktivitetin fizik
ose sjellje të tjera të shëndetshme.
UNICEF – pranon se teknologjia mund të ketë efekte pozitive kur përdoret për edukim dhe lidhje sociale.
Organizata thekson se përdorimi i tepërt mund të dëmtojë zhvillimin e fëmijëve. Në raportin e tij të vitit
2017 mbi gjendjen e fëmijëve në botë, UNICEF-i bëri thirrje për një qasje të ekuilibruar, duke u kërkuar
prindërve që të sigurojnë që përdorimi dixhital të mos dëmtojë përvojat thelbësore të fëmijërisë, si
lojërat në natyrë, shoqërimi ballë për ballë dhe koha me familjen.

Disa këshilla praktike për prindërit

Krijoni zona pa ekran
Përcaktojini disa zona të caktuara në shtëpi, si tavolina e darkës ose dhomat e gjumit, si zona pa ekran
për të inkurajuar ndërveprimin familjar dhe për ta përmirësuar gjumin.

Vendosni kufijtë kohorë
Aktivizoni veçoritë e kontrollit prindëror në pajisje për të vendosur kufijtë ditor të kohës para ekranit
dhe për të siguruar që fëmijët të kenë kohë të mjaftueshme për aktivitete fizike, detyra shtëpie dhe
ndërveprime ballë për ballë.

Inkurajojeni përdorimin aktiv
Nxitni fëmijët që të përfshihen në aktivitete edukative ose krijuese në pajisjet e tyre, të tilla si të
mësuarit e aplikacioneve ose lojërave të kodimit, në vend të konsumit pasiv të përmbajtjes si video ose
media sociale.

Bëhuni një model
Fëmijët shpesh i imitojnë sjelljet e prindërve të tyre. Kufizojeni përdorimin e telefonit tuaj, veçanërisht
gjatë kohës që e kaloni me familje dhe formësoni zakone të shëndetshme teknologjike.

Qasja e balancuar – teknologjia si mjet, jo shpërqendrim

Tanimë është fakt se telefonat e mençur dhe pajisjet dixhitale janë një pjesë integrale e jetës moderne,
mirëpo është thelbësore të menaxhohet përdorimi i tyre për ta mbrojtur mirëqenien e fëmijëve. Si
studimet e fundit, ashtu dhe organizatat profesioniste botërore bien dakord se përdorimi i moderuar
dhe i kujdesshëm i teknologjisë, i shoqëruar me përvoja aktive, pa ekran, është qasja më e mirë për të
siguruar që fëmijët të zhvillohen në individë të shëndetshëm dhe të përgatitur për jetë.
Duke i ndjekur udhëzimet e organizatave shëndetësore dhe duke zbatuar masa praktike në shtëpi,
prindërit mund t’i ndihmojnë fëmijët e tyre që t’i shijojnë avantazhet e teknologjisë pa rënë pre e anëve
negative të saj.