Blog

Asgjë nuk e zëvendëson marrëdhënien prind-fëmijë

17 Oct, 2023

Të jesh prind është një nga rolet më sfiduese në botë. Nga kërkimi për mënyra të ndryshme prindërimi e deri te testimi i metodave të ndryshme të prindërimit, ne gjithmonë shkojmë më lart dhe përtej për t’u siguruar që të rritim fëmijë të lumtur dhe të suksesshëm. Por pa marrë parasysh se çfarë mënyre zgjedhim të përdorim, në fund të fundit, ajo ende zbret në llojin e marrëdhënies që çdo prind ka me fëmijët e tyre. Sa më e fortë të jetë marrëdhënia prind-fëmijë, aq më të mëdha janë efektet e edukimit.

Kuptimi i marrëdhënies prind-fëmijë

Marrëdhënia midis prindit dhe fëmijës është një lidhje unike që ushqen rritën dhe zhvillimin holistik të një fëmije. Ajo vë themelet e sjelljes, personalitetit, tipareve dhe vlerave të tyre. Pra, pse është e rëndësishme një marrëdhënie pozitive dhe e shëndetshme prind-fëmijë?

Rëndësia e marrëdhënies prind-fëmijë

  • Fëmijët që kanë një marrëdhënie të shëndetshme me prindërit e tyre kanë më shumë gjasa të zhvillojnë marrëdhënie pozitive me të tjerët. Ata mund të krijojnë lidhje dhe miqësi të sigurta me bashkëmoshatarët.
  • Ata janë më të mirë në përshtatjen e emocioneve të tyre kur përballen me stres dhe situata të vështira.
  • Lidhja e sigurt me prindërit ndihmon në zhvillimin kognitiv, emocional dhe social të fëmijës. Për më tepër i ndihmon ata të shfaqin sjellje pozitive sociale.
  • Përfshirja e shëndetshme e prindërve në jetën e përditshme të fëmijëve të tyre i ndihmon ata që të performojnë më mirë në aspektin social dhe akademik.
  • Fëmijët që kanë një marrëdhënie të sigurt dhe pozitive me prindërit e tyre mësojnë aftësi dhe vlera esenciale që ua shtrojnë rrugën e suksesit në të ardhmen.

 

Disa këshilla që forcojnë marrëdhënien prind-fëmijë:

Shprehni vazhdimisht dashurinë tuaj për fëmijët tuaj

Kjo mund të tingëllojë vërtet si diçka që nuk ka nevojë të potencohet, por është e rëndësishme që çdo prind t’u thotë fëmijëve të tyre se i duan. Fëmijët duhet të ndihen vazhdimisht të dashur dhe të sigurt. Bëjini qëllim që t’i tregoni se i doni pavarësisht moshës së tyre! Madje, edhe në raste të mosmarrëveshjeve dhe keqkuptimeve, mundohuni që ata ta ndiejnë se i doni pa kushte!

Kushtojini vëmendje

Të qenit i zënë me oraret e gjata të punës nuk është dhe nuk duhet të jetë asnjëherë justifikim për të mos kaluar kohën e duhur me fëmijët tuaj. Gjithmonë dhurojini atyre kohë dhe vëmendje. Nëse ata janë duke luajtur me lodrat e tyre, duke shikuar televizor ose duke shijuar ushqimet e tyre, gjeni kohë për t’u ulur me ta. Hapni tema që atyre u interesojnë, luani me ta, angazhohuni me ta dhe kushtojini vëmendje të veçantë!

Zhvilloni tradita dhe rituale

Ritualet dhe traditat rritin ndjenjën e sigurisë te fëmijët. Ndërsa ata janë të vegjël, krijojeni një traditë që do t’i përcjellë gjatë tërë jetës. Për shembull, mund të vendosni për rutinë para gjumit. Lexojuani atyre një libër përpara se të futen në gjumë. Më pas, bëni një ritual javor familjar ku shijoni një aktivitet të veçantë çdo fundjavë, si p.sh. një drekë familjare gjatë të dielave ose një kinema në shtëpi çdo të shtune mbrëma. Pavarësisht nga mosha dhe rituali, e rëndësishme është që të kaloni rregullisht kohë për aktivitete që i forcojnë lidhjet brenda familjes.

Hani vakte së bashku

Ngrënia e vakteve si familje është jashtëzakonisht e rëndësishme. Koha e vaktit është koha më e mirë për të hapur biseda dhe për të bërë shkëmbyer lajme dhe gjëra të mira. Gjithashtu, ky mund të jetë një aktivitet argëtues. Sigurohuni që t’i flakni të gjitha shpërqendrimet gjatë vakteve. Fikni televizorin dhe largoni të gjitha pajisjet elektronike. Kjo është koha kur mund të flisni vërtet dhe të shijoni shoqërinë me njëri-tjetrin.

Mirëkuptojini ata

Nëse fëmija juaj vjen te ju për t’i ndarë ndjenjat apo shqetësimet e tij për ndonjë gjë, atëherë mirëpritni atë. Dëgjojini dhe bëjini të ndiejnë se po i mirëkuptoni. Ndoshta ata duan ta ndajnë një ditë të keqe në shkollë ose për kokëçarjet me detyrat e shtëpisë. Çfarëdo që u shkakton shqetësime, jini aty për ta. Mos i (para)gjykoni! Vërtetojini ndjenjat e tyre dhe jini të hapur për t’i diskutuar ato me ta.

Lidhja e veçantë midis një prindi dhe një fëmije është një nga lidhjet më të forta dhe më të vërteta që mund të ketë dikush në jetën e tij. Përdorni këto këshilla për ta ushqyer vazhdimisht marrëdhënien që keni me fëmijën tuaj.

Lini një koment

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyruara janë të shënuara me *