Blog

30 Jan, 2024

Zhvillimi i aftësive gjuhësore dhe shkrim-leximit për fëmijët nga 12 deri në 24 muaj

Ideja se foshnjat dhe vogëlushët mund të flasin dhe të lexojnë duket e pabesueshme. Mbase nuk është e nevojshme që t’u "jepni mësime" fëmijëve të vegjël, por t’i mësoni që t’i zhvillojnë aftësitë e tyre gjuhësore dhe shkrim-leximin, kjo tashmë nuk do diskutim. Sigurisht se me ta nuk mund të debatoni rreth rritjes së tatimeve, apo të prisni që ta kuptojnë librin më të ri të Harry Potter, por aftësitë gjuhësore dhe shkrim-leximi mund të fillojnë goxha herët – që nga lindja. Të shikoni fëmijën tuaj dhe të mësoni atë se si të komunikojë përmes tingujve, shprehjeve të fytyrës dhe gjesteve janë të gjitha mënyra të rëndësishme për ta ndihmuar atë ta mësojë të folurit dhe shkrimin. Aftësitë e hershme të të folurit dhe të shkrim-leximit mësohen më së miri përmes çasteve të përditshme me fëmijën tuaj - duke lexuar libra, duke folur, duke qeshur dhe duke luajtur së bashku. Fëmijët e mësojnë gjuhën kur ju komunikoni me ta, duke i dëgjuar tregimet që ua lexoni dhe përmes këngëve të kënduara me zë të lartë. Fëmijët i zhvillojnë aftësitë e hershme të shkrim-leximit kur ua jepni atyre mundësinë që të luajnë dhe të eksplorojnë libra dhe materiale të tjera të shkruara si revista, gazeta, broshura, lapsa dhe shkumësa me ngjyra. Gjuha dhe shkrim-leximi, megjithëse janë dy aftësi të ndryshme, ndërtohen mbi njëra-tjetrën në forma të ndryshme. Çfarë mund të bëni Bisedoni me fëmijën tuaj Hulumtimet kanë treguar se sa më shumë që prindërit flasin me fëmijët, aq më shumë ata do ta zhvillojnë fjalorin e tyre. Gjithashtu, këta fëmijë përdorin struktura fjalish më të avancuara. Kështu që bisedoni me vogëlushët tuaj – në makinë, në park, gjatë kohës së banjës dhe kudo që ju e shihni të nevojshme! Kundroni dhe ndërtojini interesat e fëmijës suaj Fëmija juaj do t'ju tregojë se çfarë i intereson dhe e emocionon atë duke përdorur veprimet, shprehjet e fytyrës dhe fjalët. Kur ai bën me shenjë nga dritarja ose ju hedh një vështrim pyetës, atëherë ju shprehni veprimet e tij me fjalë: Po, çfarë ka atje jashtë? Kështu nxiteni një bisedë me të lidhur me atë që e rrethon shtëpinë tuaj. Përdorni fjalë të reja kur flisni me fëmijën tuaj. Hulumtimet tregojnë se përdorimi i shpeshtë i një fjale të re e ndihmon vogëlushin tuaj ta pasurojë fjalorin më shpejt! Për shembull, nëse përpiqeni t'i mësoni fëmijës suaj fjalën "më shumë", mund të thoni: "Unë kam më shumë qumësht! A dëshiron ti më shumë? Le të shtojmë më shumë qumësht në gotën tënde!” Duke e thënë fjalën më shumë në tri fjali me radhë, ne ofrojmë përsëritje të asaj fjale. Emërtoni fotot në libra Vini në dukje lidhjet midis librave dhe jetës "reale" të fëmijës suaj. Për shembull, pasi të shihni foton e një autobusi në një tregim që jeni duke ia lexuar, ju mund ta shihni një të tillë më vonë në rrugë po atë ditë. Ndihmojeni atë që të bëjë lidhjen me tyre! Bëni pyetje ndërsa lexoni Ku është bleta? Çfarë jep bleta? Paraprakisht, ju mund t'i bëni fëmijës suaj pyetje si: a dëshiron të lexosh një libër? Çfarë libri dëshiron ta lexosh? Shumë shpejt fëmija juaj do ta marrë një libër dhe t'jua sjellë për t’ia lexuar. Mos i bëni të mëdha gabimet gjuhësore Nuk ka nevojë që ta korrigjoni fëmijën tuaj. Thjesht përsëriteni shqiptimin e saktë. Nëse fëmija juaj thotë, "Lina", ju mund t’i përgjigjeni duke thënë: "A vjen të ulemi në tavolinë që të hamë mëngjes, njam, njam…!". Kështu i jepni fëmijës tuaj një shans për ta dëgjuar se si tingëllon fjala. Një gjë duhet të kihet parasysh, e ajo është se nëse korrigjoni çdo fjalë të fëmijës tuaj, atëherë ju do ta bëni të hezitojë për të përdorur fjalë të reja. Bëhuni përkthyes Nëse të tjerët kanë vështirësi që t’i kuptojnë fjalët e fëmijës suaj, atëherë ju "përkthejeni" atë që ai thotë. Fillimisht, jepini fëmijës suaj mundësi të shprehet dhe më pas shpjegojeni: "Mali po ju thotë se ky është kamioni i tij i ri që e ka marrë dhuratë nga gjyshi." Përsëritni Zgjidhni libra me histori që përsërisin fjalë ose fraza. Fëmijët mësojnë fjalë dhe shqiptime të reja përmes përsëritjes. Një zgjedhje e mirë për këtë grupmoshë është “365 Rrëfenja para gjumit”, nga grup autorësh. Po ashtu, zgjedhje të tjera të mira librash janë edhe ato që: Inkurajojnë fëmijën tuaj të flasë, si p.sh. libra që parashtrojnë pyetje të thjeshta; Libra me figura të qarta të objekteve të zakonshme; dhe Tregime të thjeshta me përfundime të parashikueshme. Lexoni sa shumë libra me fëmijën tuaj Leximi së bashku e ndihmon fëmijën tuaj që ta zhvillojë dashurinë për leximin. Gjithashtu, e ndihmon atë t’i mësojë aftësitë për të lexuar libra (të tilla si kthimi i faqeve, leximi i fjalëve, biseda rreth figurave, etj). Po ashtu, leximi me zë ushqen aftësitë gjuhësore dhe të dëgjimit të fëmijës suaj. Pranojeni se jo të gjithë librat janë interesantë Fëmijët e vegjël kanë (mos)pëlqimet e tyre. Ndiqni udhëzimet e fëmijës suaj dhe lëreni atë të vendosë se cilat libra t’ia lexoni. Ta detyrosh një fëmijë që ta dëgjojë patjetër një histori ia largon dëshirën për shkrim-leximin. "Lexojeni" botën përreth jush Vini në spikamë shenjat e ndalimit, shenjat e hapur/e mbyllur në dyqane, tabelat në rrugës... Lëreni fëmijën tuaj të luajë dhe t’i "lexojë" të gjitha llojet e materialeve të shkruara, qofshin ato revista, gazeta, katalogë, reklama, etj që gjenden në shtëpinë tuaj. Lërini të lëvizin Vazhdoni të lexoni, ngase fëmijët shpesh janë ende duke dëgjuar edhe kur lëvizin përreth jush. Në fakt, disa fëmijë, të cilët kanë një nevojë të fortë për të lëvizur, dëgjojnë më mirë kur janë në lëvizje! Rrëfejani fëmijës suaj një ngjarje Në vend që ta lexoni një libër, tregoni fëmijës suaj një ngjarje nga jeta juaj. Fëmijët fitojnë aftësi të rëndësishme të shkrim-leximit edhe duke dëgjuar. Ata mësojnë fjalë të reja. Gjithashtu, ata mësojnë se si një ngjarje shpaloset në një sekuencë (fillim, mes dhe fund). Lëreni leximin e librit kur fëmija juaj tregon se nuk është i interesuar. Ndiqni drejtimin e fëmijës suaj dhe bëni disa lojëra aktive për një kohë Kthehuni te libri më vonë! Detyrimi i fëmijëve për të lexuar mund t’ia ngjallë averzionin për librat. Lëreni fëmijën tuaj t’ju ndihmojë në "leximin" e librit Lëreni fëmijën tuaj të mbajë librin dhe t'i kthejë faqet! Kjo e ndihmon atë të mësojë se si funksionon një libër. Shihni nëse ai do të dëshironte t'jua lexonte në çfarëdo mënyre që i pëlqen. Ai mund t'ju dëftojë fotografitë dhe t'ju kërkojë t’i thoni se cilat janë ato. Ngjashëm, ai mund t’ju llafosë ndërsa "lexon" fjalët në secilën faqe. Flisni për fotot në libër Lepurushi është lodhur. Tani ai është shtrirë në shtratin e tij. Ai po shkon të flejë. Flej, natë, lepur. Të folurit rreth figurave i ndihmon fëmijët që të zhvillojnë një kuptim më të mirë të asaj që po ndodh në tregim. Ndonjëherë, në vend që t’i lexoni fjalët aktuale në libër, thjesht mund të flisni për fotografitë në secilën faqe.

27 Feb, 2024

Rëndësia e futjes së lojërave në mësimdhënie dhe nxënie

Futja e lojërave bazohet në aplikimin e mekanikës dhe dizajnit të lojës në kontekste jo-lojërash, të tilla si nxënia, me objektivin e vetëm ofrimin e një përvoje më argëtuese dhe më tërheqëse në kontekste konvencionale. Ky proces promovon angazhimin, pjesëmarrjen dhe besnikërinë e nxënësve në mësim. Prandaj, zbatimi i tij në mësimdhënie ka zgjuar interesim të madh për edukatorët në mbarë botën. Ky artikull prezanton konceptin e futjes së lojërave në mësimdhënie dhe mësimnxënie dhe ofron shembuj të aplikimeve të kësaj teknike. Aspektet e lojërave në mësim Aplikimet e gamifikimit (lojës në procesin mësimor) janë të qarta në një mori skenarësh. Ai zbatohet në varësisht prej kontekstit. Për më tepër, entitete të ndryshme po i përshtaten kësaj teknike. Këtu kemi parasysh përfshirjen e kësaj teknike në ushtrinë amerikane, korporatat shumëkombëshe dhe institucionet arsimore. Disa aspekte të gamifikimit që i kanë tërhequr studiuesit dhe politikëbërësit e shoqërisë sonë renditen si më poshtë: Qasja e përforcimit pozitiv është gurthemeli i gamifikimit. Dhënia e shpërblimeve është një motivues i madh i arritjes së rezultateve. Përveç kësaj, kjo promovon konkurrencë të shëndetshme, ku nxënësit e ndjekin përparimin e tyre dhe përpiqen të arrijnë shkallë sa më të lartë. Një sistem i qartë i bazuar në shpërblime ofron një platformë motivuese për përmirësim, duke i bërë aktivitetet dhe kuizet më emocionuese. Shtimi i stimujve në klasë rrit nivelin e angazhimit të nxënësve. Këta stimuj shërbejnë për ta pasuruar përvojën dhe ngjallur kërshërinë e nxënësve. Kjo qasje ua lehtëson nxënësve që ta kujtojnë atë që e kanë mësuar. Argëtimi gjatë mësimit është një strategji e provuar e ruajtjes dhe rikthimit të informacionit. Prisni reagime të menjëhershme pas dhe gjatë çdo aktiviteti. Rrjedhimisht, çdo detyrë ose aktivitet i ndërmarrë mund të modifikohet dhe përmirësohet menjëherë, në çdo hap të procesit mësimor. Kontekstet e gamifikimit Kjo teknikë tashmë është pjesë e kurrikulave moderne. Krijimi i një tabele me pikë në klasë shihet si pjesë e zbatimit të gamifikimit në mësimdhënie dhe mësimnxënie. Nxënësit që marrin më së shumti pikë në një test, ata që performojnë mirë në aktivitete ose ata që e dorëzojnë projektin më të mirë marrin një yll në tabelë ose një distinktiv. Kjo e kthen klasën në një hapësirë interaktive ku lojërat funksionojnë si mjete ndihmëse për të mësuar. Shpërblime me bollëk Mund të krijohet një sistem shpërblimi, ku përgjigjja e qëlluar e një pyetjeje të vështirë, marrja e pikëve më të larta në një test ose të qenit aktiv në klasë sjell një shpërblim. Për shembull, platfoma e njohur mësimore, Khan Academy, e ka gamifikuar mësimin në internet – duke fituar pikë dhe distinktivë në rrugëtimin e mëtejshëm të përdoruesi, ndërsa shikon gjithnjë e më shumë video mësimore dhe zgjidh probleme të ndryshme. Rishpikni sistemin e klasifikimit Nota që çdo nxënës e merr në fund të një gjysëmvjetori korrespondon me arritjen që e ka marrë gjatë gjithë kësaj periudhe. Dorëzimi i projekteve në kohë, të qenit i rregullt në klasë dhe pjesëmarrja aktive në aktivitete, në klasë dhe jashtë saj, janë disa nga mënyrat për të nxënë dije. Kjo e gjurmon përparimin e nxënësve dhe i motivon ata të mësojnë më shumë pasi kjo i shpie te notat e larta dhe shpërblimet e tjera. Hapeni konkurrencën Prezenca e konkurrencës miqësore nxjerr në pah përpjekjen më të mirë te nxënësit. Për më tepër, ata shpesh i shohin detyrat që e përfshijnë konkurrencën si diçka shumë tërheqëse. Lojërat e rritin moralin e nxënësve dhe i inkurajojnë ata që të marrin pjesë në aktivitete mësimore. Nxiteni mësimin joformal: Detyrat e Shtëpisë Edukatorët e përfshirë në këtë teknikë përpiqen të aplikojnë lojëra që e përkthejnë mësimin në mjedise joformale jashtë klasave pasi mendojnë se orët e kaluara në klasa janë shpesh të papërshtatshme për të mësuar. Gamifikimi e mundëson dhe e frymëzon kuriozitetin për të mësuar, edhe pasi të ketë rënë zilja e shkollës. Nxënësit mund t’i bëjnë disa hulumtime si pjesë e detyrave të shtëpisë. Për më tepër, këto hulumtime përfshijnë aktivitete që, pas përfundimit të tyre, ofrojnë disa shpërblime në formën e notave plotësuese. Gamifikimi është kritikuar për përdorimin e shpërblimeve si karrem për t’i shtyrë nxënësit për të nxënë. Specialistët e edukimit argumentojnë se dëshira për të marrë shpërblime e minon shtysën themelore për të mësuar. Megjithatë, shumë psikologë e kanë mbështetur këtë teknikë me prova të pamohueshme të efektivitetit të saj. Ajo e rrit dëshirën për të mësuar në formë kreative dhe jo vetëm që e ndihmon zhvillimin kognitiv te fëmijët, por gjithashtu i përmirëson aftësitë e zgjidhjes së problemeve. Në fund një gjë duhet pasur parasysh, aplikimi i lojërave në procesin mësimor nuk duhet parë si zëvendësim për pedagogjinë, por vetëm një burim ndihmës që ua stimulon dëshirën nxënësve për mësim.

27 Nov, 2023

Roli i kartave në pasurimin e fjalorit te fëmijët

Fillimisht, më lejoni të shtrojmë një pyetje: A e keni pyetur ndonjëherë veten përse fëmijët e mësojnë kaq shpejt gjuhën e tyre amtare? Përgjigjja është se ata vazhdojnë ta bëjnë të njëjtën gjë në vitet e para të fëmijërisë së tyre. Kjo rutinë zakonisht përfshin një imazh ose pamje të lidhur me një tingull ose fjalë. Kjo është pikërisht ajo që mundësojnë kartat! Ato i ndihmojnë fëmijët në memorizimin dhe kujtimin e fjalëve të reja përmes lidhjes së përsëritur të fjalës me imazhin. Një kartë është një copë letre me informacionin që dëshironi ta mbani në mend. Për shembull, nëse doni të mësoni një fjalë të caktuar, mund ta përdorni një kartë që e përmban atë fjalë dhe imazhin e lidhur me të. Kur e ktheni kartën, ju do ta shihni përkufizimin e fjalës ose kuptimin e saj. Pra, kartat për fëmijë ju vijnë në ndihmë kur mësoni shprehje ose koncepte të reja. Kartat përdoren për të testuar dhe përmirësuar kujtesën nëpërmjet përsëritjes së marrjes së informacionit. Të ilustruar me ngjyra, kartat mund të përdoren për të kryer një sërë aktivitetesh dhe lojërash tërheqëse që nxitin një kuptim të qëndrueshëm të koncepteve kryesore. Çdo kartë përmban shprehje dhe një përshkrim grafik në njërën anë dhe përkufizimin e termit në anën e pasme. Gjithashtu, mësuesit/et nga ana tjetër duhet të jenë të vetëdijshëm për faktin se çdo klasë ka larmi të nxënësve. Rrjedhimisht, mësueset duhet të bëjnë përpjekje për t'u lidhur me të gjithë tipat e nxënësve gjatë një viti. Është veçanërisht e rëndësishme të lidheni me nxënësit vizualë, pasi ata përbëjnë një segment të konsiderueshëm të popullsisë. Kartat e qarta dhe shumëngjyrëshe mund të kenë një ndikim të madh te nxënësit vizualë. Kartat janë një produkt fantastik, ndërsa ato mund të përdoren në çdo moment. Ato janë një mënyrë e shkëlqyeshme për ta mësuar, praktikuar dhe ripërsëritur fjalorin. Në anën tjetër këto karta janë një gjetje e mirë edhe për kontributin e prindërve në edukimin e fëmijëve. Ka shumë përparësi të tjera të përdorimit të këtyre kartave për mësimin e gjuhës: Janë ideale edhe për fëmijët më kokëfortë Mund t’i shpërndani kartat në një tavolinë, t'i ktheni dhe t'i përzieni. Pastaj fëmijët mund t'i marrin ato, ta studiojnë imazhin dhe konceptin. Në këtë proces, ata do të mësojnë shprehjen përkatëse. Ato janë perfekte për duart boshe... e po ashtu për trurin bosh. Ato janë një teknikë e shkëlqyer për t’i përfituar edhe fëmijët më kokëfortë. Luani dhe mësoni në një mori mënyrash Metoda e rrotullimit dhe zbulimit është teknika më tipike e mësimit përmes lojës, por për këtë ju duhet pak kreativitet. Mund t’i përzieni dhe të bëni lojëra duke testuar kujtesën e fëmijës ose të përdorni nëngrupe kartash si pjesë e një loje më të madhe. Të lehta për t'u mbajtur Kutia në formë kubi e kartave “Fletëza” është shumë e lehtë për t’u mbajtur. Nuk zë vend të madh, ndërsa mund të paloset me gjërat tjera në formë të përkryer nëse dëshironi ta merrni në udhëtime. Këto karta ofrojnë argëtim për fëmijët për të luajtur në kohë të lirë, gjatë udhëtimit, ose në raste të tjera. Aq sa janë të dobishme për mësueset, po aq janë edhe për prindërit, të cilët në orët e mbrëmjes mund t’i ndihmojnë fëmijët në pasurimin e fjalorit. Vetëm ajo që ju duhet! Vetëm informacioni më i rëndësishëm shfaqet në këto karta. Çdo informacion i panevojshëm është i eliminuar. Disa fëmijë e kanë të vështirë të përqendrohen në një faqe me shumë elementë të tjerë shpërqendrues. Një “fletëz” ju jep vetëm atë që duhet ta dini. Kjo ua lehtëson fëmijëve që ta ruajnë fokusin e tyre – veçanërisht atyre në mosha më të vogla. E përshtatshme për prindërit Kartat janë një mënyrë e shkëlqyer për ta përfshirë tërë familjen. Edhe nëse prindërit nuk e kuptojnë çdo temë në të gjitha nivelet, ata mund të përdorin kartat për t’i vlerësuar njohuritë e fëmijëve të tyre, sepse atyre u mbetet vetëm ta kthejnë kartën për ta konfirmuar përgjigjen e duhur. Nuk është vetëm një qasje efektive për t’ua vlerësuar atyre njohuritë, por gjithashtu u mundëson prindërve të kalojnë kohë cilësore me fëmijët e tyre, duke u argëtuar duke u ofruar atyre aktivitete akademike. Mjete të shkëlqyera rishikimi Kur studentët mësojnë për një lëndë për herë të parë, është e rëndësishme që ata ta lexojnë tekstin shkollor për të kuptuar më mirë temën. Megjithatë, kur testet afrohen, nuk është gjithmonë praktikë e mirë leximi pa pushim i tekstit shkollor. Por kjo nuk vlen me kartat, ngase ato ofrojnë përherë përvojë të re nga e para. Ndihmon në rritjen e vetëbesimit Kartat u japin fëmijëve një ndjenjë vetëbesimi, sepse i ndihmojnë ata t’i mbajnë në mend gjërat për një periudhë më të gjatë kohore. Duke qenë se është një material i ndarë në copa, ato janë më të menaxhueshme se librat dhe botimet e tjera që janë të lidhura. Kësisoj, ju jeni në gjendje që t'i ndani ato në tufa bazuar në faktin nëse (ose sa shpesh) duhet t'i përdorni përsëri. Më pas, mund t'i praktoni më shpesh konceptet në të cilat nuk keni besim, duke iu kthyer herë pas here për rishikim tek ato për të cilat keni besim. Praktika e përsëritjes e bazuar në besim është vërtetuar se është mënyra shkencore më e optimizuar për ta përmirësuar performancën e kujtesës. Përparësitë e kartave në edukimin e hershëm Kartat i ndihmojnë fëmijët që t’i zhvillojnë njohuritë dhe aftësinë e tyre kognitive, si dhe kujtesën e tyre vizuale. Për shkak se hapësira e vëmendjes së fëmijëve është jashtëzakonisht e shkurtër, kartat ua lehtësojnë prindërve/mësueseve që të japin copëza të njohurive në një mënyrë të paharrueshme dhe më tërheqëse. Fëmijët mund të krijojnë lidhje duke i përdorur “Fletëzat”. Ato mund të përdoren për ta identifikuar një fjalë të njohur me ekuivalentin e saj në një gjuhë të huaj kur bëhet fjalë për mësimin e gjuhës. Në mënyrë të ngjashme, ato mund të përdoren për ta lidhur një shprehje me konceptin e saj në matematikë, shkencë, art... Kur ju ua shpalosni atyre fotot dhe fjalët, truri i tyre krijon lidhje që i ndihmojnë ata të njohin gjënë kur ta shohin përsëri. Kartat janë një metodë e dobishme për ta stimuluar fëmijën teksa ai/ajo mëson tema të reja. Meqenëse ato janë kaq efektive, metoda e kartave është bërë e njohur brenda kopshteve dhe shkollave në vendin tonë, si dhe ndërkombëtarisht. Në këtë proces, kartat mund ta shndërrojnë procesin e mësimit në një aktivitet tërheqës dhe të këndshëm.

24 Nov, 2023

Metoda e të mësuarit me kartat “FLETËZA”

Metoda e mësimit me grupmoshat e vogla potencon përdorimin e kartave “Fletëza” si një mjet kryesor të të mësuarit. Për të përfituar sa më shumë nga fuqia e kartave, ju duhet t’i ndiqni këto hapa: Fillojeni herët: Prezantojani fëmijës tuaj kartat sa më herët që të jetë e mundur, mundësisht kur t’i mbushë gjashtë muaj. Shpejt dhe qëndrueshëm: Shfletojini shpejt kartat “Fletëza”, rreth 1-2 sekonda për kartë. Mbajeni një ritëm dhe rutinë stabile. Mbani seanca të shkurtra: Kufizojeni seancën me këto karta nga 5-10 minuta në mënyrë që ta ruani interesin dhe fokusin e fëmijës tuaj. Praktikojeni me rregull: Kryejini seancat me karta çdo ditë ose shumë herë në ditë nëse dëshironi ta përforconi mësimin dhe kujtesën. Përdorni tema të ndryshme: Përfshijini kartat me tema të ndryshme për t’i stimuluar zonat e ndryshme të trurit të fëmijës tuaj. Eksplorojeni gamën tonë të kartave të mësimit të fëmijëve. Rriteni gradualisht vështirësinë: Prezantojini karta më komplekse dhe sfiduese, ndërsa fëmija juaj njihet me përmbajtjen e tyre. Futni në angazhim shqisa të shumta: Përdorni karta që përfshijnë pamje vizuale, tinguj dhe tekstura për t’i stimuluar disa shqisa dhe për të përmirësuar të mësuarit. Jini pozitiv: Lavdërojeni dhe inkurajojeni fëmijën tuaj gjatë seancave për t’ia rritur motivimin dhe për të krijuar një përvojë të këndshme të mësimit. Ripërsëritni dhe ripërsëritni: Ripërsëritni rregullisht kartat e mësuara më parë për t’ia përforcuar kujtesën dhe kuptimet e fëmijës tuaj. Mësoni me ndërveprim: Përfshini kartat “Fletëza” në lojëra ose aktivitete për ta bërë mësimin të këndshëm dhe tërheqës.

07 Nov, 2023

Si t’ua kapërcejmë vështirësitë në lexim fëmijëve tanë

Të kesh një fëmijë që ka vështirësi në lexim mund të jetë gjë stresuese për juve si prindër. Mirëpo sot, fatmirësisht, ekzistojnë metoda të shumta që e ndihmojnë fëmijën tuaj që ta përvetësojë aftësinë e shkrim-leximit. Pavarësisht se punoni shumë në edukimin e hershëm për ta bërë më të lehtë leximin për fëmijën tuaj, megjithatë mund të jeni dëshmitar tëë përballjes së tij me vështirësi bazike të leximit. Ekspertët thonë se shumica e fëmijëve që marrin ndihmë në kohën e duhur fitojnë rrjedhshmëri në lexim. Nga ana tjetër, nëse një fëmije nuk i ofrohet mbështetje për përmirësimin e aftësive të leximit - kjo mund të ndikojë në të nxënit e tyre gjatë tërë jetës. Zhvillimi i shprehisë së leximit qysh në moshë të hershme i ndihmon fëmijët të ecin më mirë në shkollim, të zgjerojnë fjalorin e tyre dhe të rritin vetëbesimin e tyre. Hapi i parë për t’i ndihmuar fëmijët të kapërcejnë vështirësitë e tyre në lexim është identifikimi i problemeve. 5 problemet më të zakonshme të leximit tek fëmijët Deshifrimi i fjalëve dhe problemeve që lidhen me tingëllimin e fjalëve Deshifrimi i fjalëve mund të nënkuptojë problemin e lidhjes së tingujve me shkronjat e alfabetit. Lexuesit fillestarë përballen me kombinime të reja dhe të panjohura të shkronjave. Megjithatë, duke praktikuar zërin dhe duke lexuar me zë të lartë, deshifrimi mund të bëhet i lehtë.   Vështirësi në të kuptuar Leximi përfshin të kuptuarit në nivele të ndryshme. Ai përfshin njohjen e alfabetit, kuptimin e fjalëve dhe frazave të ndryshme dhe kuptimin e tekstit në nivel fjalie dhe paragrafi. Aftësia e dobët e të kuptuarit e bëjnë leximin sfidues në aspektin kognitiv. Gjithashtu, kjo mund ta dekurarojë një fëmijë që ta zhvillojë shprehinë e leximit.   Vështirësi të përziera Fëmijët mund të kenë vështirësi të përziera që i pengojnë ata të lexojnë mirë. Këtu përfshihet deshifrimi, të kuptuarit, sfidat fonemike ose dëmtimet fizike si disleksia.   Vështirësitë e mbamendjes Aftësitë e mira të mbambajtjes përfshijnë aftësitë njohëse të nivelit të lartë, kujtesën dhe aftësinë për t’i grupuar dhe t’i lidhur idetë. Që nga klasa e parë e tutje, mësimi përmendësh është pjesë përbërëse e detyrave shkollore. Por mbamendja ose përkushtimi i asaj që lexohet mund të jetë një sfidë për disa fëmijë.   Shpejtësia Ndërsa studentët arrijnë nivele më të larta leximi, ata e përmirësojnë fjalorin e tyre, përmirësojnë kuptimin dhe kujtimin e leximit. E gjithë kjo ndihmon në rritjen e shpejtësisë së leximit të fëmijës suaj. Nëse shpejtësia e leximit nuk përmirësohet, ndërsa niveli i leximit përparon, atëherë fëmija mund të ketë një procesim më të ngadaltë të detyrave kërkuese njohëse (kognitive) si leximi.   Tani që u njohëm me problematikat me të cilat mund të përballet një fëmijë, le të shohim disa teknika që ndihmojnë në zgjidhjen e tyre!   Shtatë teknika që i ndihmojnë fëmijët të kapërcejnë vështirësitë në lexim Mësojuani përmendësh fjalët e shquara (vizuele) dhe shenjat rrethanore Kjo është një teknikë që i ndihmon fëmijët t’i kujtojnë më shpejt fjalët me qëllim të përmirësimit të rrjedhshmërisë në lexim. Përdorni karta për fëmijë (si p.sh. Fletëza) për t’i mësuar përmendësh fjalët e shquara ose emrat e gjërave të përditshme që shfaqen në ambientin që e rrethon fëmijën. Nëse fëmija mund të kujtojë sa më shumë fjalë në këtë mënyrë, kjo ia përmirëson fjalorin dhe rrjedhshmërinë gjatë leximit.   Aktivizojini teknikat e ideve dhe të të menduarit Për ta inkurajuar shprehinë e leximit, është mirë që së pari të hapni një diskutim përkitazi me atë që do ta lexoni duke i aktivizuar njohuritë e mëparshme të fëmijës për atë temë. Prezantimi i figurave, hartave të mendjes, titujve ose analizimi i tekstit i ndihmon fëmijët të kenë ide më të qartë të tekstit që do ta lexojnë dhe t’ua përmirësojë të kuptuarit.   Pasurojani fjalorin Ndërtimi i një fjalori të gjerë mund t’i ndihmojë fëmijët të njohin më shumë fjalë ndërsa lexojnë. Disa ide për pasurimin e fjalorit përfshijnë ofrimin e fjalorëve, para-mësimin e shprehjeve kyçe para se të lexoni dhe përdorimin e kartave (Fletëza). Mësimi i fjalëve që lidhen me kontekstin i bën ato më të lehta për t'u mbajtur mend. Mësimdhënia reciproke Mësimdhënia reciproke është një teknikë e shkëlqyer për ta përforcuar të kuptuarit e koncepteve që i mësohen një fëmije ose për ta përmirësuar kuptimin e tekstit që ai e ka lexuar. Caktoni role të ndryshme, si: pyetës, përmbledhës, sqarues dhe parashikues për të ndihmuar në fillimin e diskutimit dhe për t'u dhënë fëmijëve një rol udhëheqës në procesin e tyre të të mësuarit.   Imazhe vizuale dhe audio libra Nëse dëshironi që fëmijët t’u përgjigjen më mirë shenjave vizuale, atëherë përzgjedhni libra që kanë ilustrime të detajuara krahas tekstit të shkruar. Gjithashtu, kërkojini fëmijës të vizatojë figura që i nxjerrin nga teksti i lexuar. Së dyti, blini audio libra si shoqërues të kopjeve në letër. Nxiteni fëmijën tuaj të lexojë së bashku ndërsa e dëgjon librin!   Lista “Dolch” Mësimi i fjalëve që shfaqen në mënyrë të përsëritur nëpër fletoret e punës dhe tekstet e fëmijëve mund t’i ndihmojë ata të deshifrojnë tekstin më shpejt. Lista “Dolch” përfshin shprehjet me përdorim të lartë në librat e fëmijëve.   A ka nevojë fëmija juaj për ndihmë shtesë? Së fundi, gjëja më thelbësore për një prind është të përfshihet në praktikën e përditshme të leximit të fëmijës tuaj dhe të vëzhgojë modelin e tyre të leximit për të zbuluar nëse fëmija juaj ka nevojë për ndihmë. Po ashtu, ju mund të bisedoni me mësuesit në shkollë për të ditur vëzhgimet e tyre ose të vizitoni një profesionist që mund të flasë me kompetencë për zhvillimin kognitiv të fëmijës.

02 Nov, 2023

Disa këshilla të vyera se si ta ndihmoni fëmijën tuaj të mësojë gjatë rritjes së tij?

Si mësuesi i parë i foshnjës suaj, ju mund të asistoni në të mësuarit e tij/saj si dhe në zhvillimin e trurit. Më poshtë po jua paraqesim disa këshilla dhe aktivitete të thjeshta, të cilat kanë dëshmuar efekte pozitive në rritën e fëmijëve: Mësojini fëmijës tuaj “sjelljet e dëshiruara”. Tregojini atij se çfarë është e mirë që të veprojë, përdorni fjalë pozitive si dhe dhurojini përqafime dhe puthje si shpërblime kur ai i bën ato si duhet. Për shembull, nëse ajo kap për flokësh vëllain apo motrën, tregojini atij se si ta përkëdhel butësisht, apo ta përqafojë atë.   Përshkruajini me fjalë ose këndoni me fëmijën tuaj për vepimet që i bëni. Për shembull, "Nëna po i lan duart", ose këndoni: "Kështu ne i lajmë duart, la la la la".   Vazhdojeni atë që fëmija juaj përpiqet të thotë. Nëse ai thotë "na", thuaj: "Po, makina", ose nëse ai thotë "makinë", ju plotësojeni duke i thënë: "Po, kjo është një makinë e madhe e kuqe".   Përmirësojeni fëmijën tuaj shpejt dhe vazhdimisht duke i dhënë atij një lodër ose duke e larguar nga gjërat/vendet që ju nuk dëshironi që ai të futet. Kursejeni "jo-në" për sjelljet e pahijshme. Por kur thoni "jo", atëherë thuajeni me vendosmëri. Mos i rrihni, mos i bërtitni dhe mos i jepni arsyetime të gjata.   Ofrojuni fëmijës tuaj vende të sigurta për të luajtur dhe eksploruar! Thjesht, mbrojeni foshnjën në shtëpinë tuaj! Për shembull, brenda mundësive largojini gjërat e mprehta ose të thyeshme. Ilaçet, produktet kimike dhe ato të pastrimit bëjini të paqasshme për foshnjën tuaj!   Përgjigjuni me fjalë kur fëmija juaj ju dëfton diçka! Foshnjat vihen në siklet kur kërkojnë diçka! Për shembull, pyeteni: "E do gotën? Këtu është gota. Kjo është gota jote.” Nëse ai përpiqet të thotë "gotë", përshëndeteni përpjekjen e tij me shprehje si: “TË LUMTË!”.   Shfaqni vëmendje të veçantë te disa objekte, që fëmijëve u duken interesante, si p.sh. kamioni, autobusi, ose kafshët e egra! Kjo do ta ndihmojë fëmijën tuaj që të bëhet kurioz për gjërat që të tjerët po i "tregojnë" duke bërë me shenjë (gisht).   Kufizojuani kohën para ekranit (TV, tableta, telefona etj.)! Kalimi i kohës para ekranit nuk rekomandohet për fëmijët më të vegjël se 2 vjeç. Foshnjat mësojnë duke folur, duke luajtur dhe duke ndërvepruar me të tjerët.   Mundësojani fëmijës tuaj që të mësohet me ushqime me shije dhe tekstura të ndryshme! Ushqimet mund të jenë të lëmuara, të grira ose të copëtuara imët. Fëmija juaj mund të mos i pëlqejë çdo ushqim që në shijimin e parë. Jepini fëmijës tuaj një mundësi që t’i provojë ushqimet e njëjta përsëri!   Jepini fëmijës tuaj kohë që të lidhet me një ‘person’ të ri! Ofrojani një lodër të preferuar, kafshë pellushi ose batanije që i sjell rehati fëmijës tuaj!   Jepini fëmijës suaj tenxhere dhe tigan që ta shfrytëzoj si daulle! Inkurajoni fëmijën tuaj të bëjë zhurmë!

17 Oct, 2023

Asgjë nuk e zëvendëson marrëdhënien prind-fëmijë

Të jesh prind është një nga rolet më sfiduese në botë. Nga kërkimi për mënyra të ndryshme prindërimi e deri te testimi i metodave të ndryshme të prindërimit, ne gjithmonë shkojmë më lart dhe përtej për t'u siguruar që të rritim fëmijë të lumtur dhe të suksesshëm. Por pa marrë parasysh se çfarë mënyre zgjedhim të përdorim, në fund të fundit, ajo ende zbret në llojin e marrëdhënies që çdo prind ka me fëmijët e tyre. Sa më e fortë të jetë marrëdhënia prind-fëmijë, aq më të mëdha janë efektet e edukimit. Kuptimi i marrëdhënies prind-fëmijë Marrëdhënia midis prindit dhe fëmijës është një lidhje unike që ushqen rritën dhe zhvillimin holistik të një fëmije. Ajo vë themelet e sjelljes, personalitetit, tipareve dhe vlerave të tyre. Pra, pse është e rëndësishme një marrëdhënie pozitive dhe e shëndetshme prind-fëmijë? Rëndësia e marrëdhënies prind-fëmijë Fëmijët që kanë një marrëdhënie të shëndetshme me prindërit e tyre kanë më shumë gjasa të zhvillojnë marrëdhënie pozitive me të tjerët. Ata mund të krijojnë lidhje dhe miqësi të sigurta me bashkëmoshatarët. Ata janë më të mirë në përshtatjen e emocioneve të tyre kur përballen me stres dhe situata të vështira. Lidhja e sigurt me prindërit ndihmon në zhvillimin kognitiv, emocional dhe social të fëmijës. Për më tepër i ndihmon ata të shfaqin sjellje pozitive sociale. Përfshirja e shëndetshme e prindërve në jetën e përditshme të fëmijëve të tyre i ndihmon ata që të performojnë më mirë në aspektin social dhe akademik. Fëmijët që kanë një marrëdhënie të sigurt dhe pozitive me prindërit e tyre mësojnë aftësi dhe vlera esenciale që ua shtrojnë rrugën e suksesit në të ardhmen.   Disa këshilla që forcojnë marrëdhënien prind-fëmijë: Shprehni vazhdimisht dashurinë tuaj për fëmijët tuaj Kjo mund të tingëllojë vërtet si diçka që nuk ka nevojë të potencohet, por është e rëndësishme që çdo prind t'u thotë fëmijëve të tyre se i duan. Fëmijët duhet të ndihen vazhdimisht të dashur dhe të sigurt. Bëjini qëllim që t'i tregoni se i doni pavarësisht moshës së tyre! Madje, edhe në raste të mosmarrëveshjeve dhe keqkuptimeve, mundohuni që ata ta ndiejnë se i doni pa kushte! Kushtojini vëmendje Të qenit i zënë me oraret e gjata të punës nuk është dhe nuk duhet të jetë asnjëherë justifikim për të mos kaluar kohën e duhur me fëmijët tuaj. Gjithmonë dhurojini atyre kohë dhe vëmendje. Nëse ata janë duke luajtur me lodrat e tyre, duke shikuar televizor ose duke shijuar ushqimet e tyre, gjeni kohë për t'u ulur me ta. Hapni tema që atyre u interesojnë, luani me ta, angazhohuni me ta dhe kushtojini vëmendje të veçantë! Zhvilloni tradita dhe rituale Ritualet dhe traditat rritin ndjenjën e sigurisë te fëmijët. Ndërsa ata janë të vegjël, krijojeni një traditë që do t’i përcjellë gjatë tërë jetës. Për shembull, mund të vendosni për rutinë para gjumit. Lexojuani atyre një libër përpara se të futen në gjumë. Më pas, bëni një ritual javor familjar ku shijoni një aktivitet të veçantë çdo fundjavë, si p.sh. një drekë familjare gjatë të dielave ose një kinema në shtëpi çdo të shtune mbrëma. Pavarësisht nga mosha dhe rituali, e rëndësishme është që të kaloni rregullisht kohë për aktivitete që i forcojnë lidhjet brenda familjes. Hani vakte së bashku Ngrënia e vakteve si familje është jashtëzakonisht e rëndësishme. Koha e vaktit është koha më e mirë për të hapur biseda dhe për të bërë shkëmbyer lajme dhe gjëra të mira. Gjithashtu, ky mund të jetë një aktivitet argëtues. Sigurohuni që t’i flakni të gjitha shpërqendrimet gjatë vakteve. Fikni televizorin dhe largoni të gjitha pajisjet elektronike. Kjo është koha kur mund të flisni vërtet dhe të shijoni shoqërinë me njëri-tjetrin. Mirëkuptojini ata Nëse fëmija juaj vjen te ju për t’i ndarë ndjenjat apo shqetësimet e tij për ndonjë gjë, atëherë mirëpritni atë. Dëgjojini dhe bëjini të ndiejnë se po i mirëkuptoni. Ndoshta ata duan ta ndajnë një ditë të keqe në shkollë ose për kokëçarjet me detyrat e shtëpisë. Çfarëdo që u shkakton shqetësime, jini aty për ta. Mos i (para)gjykoni! Vërtetojini ndjenjat e tyre dhe jini të hapur për t’i diskutuar ato me ta. Lidhja e veçantë midis një prindi dhe një fëmije është një nga lidhjet më të forta dhe më të vërteta që mund të ketë dikush në jetën e tij. Përdorni këto këshilla për ta ushqyer vazhdimisht marrëdhënien që keni me fëmijën tuaj.

07 Oct, 2023

Nxitja e kreativitetit te fëmijët

Çdo fëmijë lind me imagjinatë. Me kalimin e kohë, prindërit dhe anëtarët e tjerë të familjes dhe të shoqërisë ia ushqejnë atë dhe për më tepër marrin pjesë në mendimet dhe veprat kreative të tyre. Shënohet që Ajnshtajni të ketë thënë se “imagjinata është më e rëndësishme se dija.” Ajo e kultivon zhvillimin kognitiv dhe social të fëmijës. Prindërit që në momentin që sjellin në fëmijë në këtë jetë hartojnë pritje të mëdha për të. Ata janë të përkushtuar që ta ngrehin atë deri në pikën më të lartë të mundësive intelektuale, sociale dhe emocionale të tij. Në edukimin fillor të fëmijës, shkathtësitë e mendimit kritik dhe aftësitë kreative të zgjidhjes së problemeve duhet të jenë qëllime të zhvillimit të fëmijës. Fantazia, të provuarit e mënyrave të reja dhe eksperimenti ndihmojnë në zhvillimin e mendimit kritik tek fëmijët si dhe ngjizin te ata idenë e zgjidhjes së problemeve në mënyrë kreative. Por ç’është në fakt kreativiteti? Në morinë e përkufizimeve që janë dhënë përkitazi me të, ne do të mjaftoheshim me atë se kreativiteti është forma e shndërrimit të fantazive dhe ideve të reja në realitet. Kreativiteti karakterizohet me aftësinë e të perceptuarit të botës në mënyra të reja, gjetjen e modeleve e motiveve të fshehura, lidhjen ndërmjet fenomeneve që në shikim të parë duken të largëta nga njëri-tjetri dhe në fund me nxjerrjen e zgjidhjeve. Kreativiteti përfshin dy procese: mendimin dhe prodhimin. Kreativiteti është më shumë se një vepër unike e artit apo një ide origjinale. Prandaj, është e rëndësishme që prindërit të gjejnë kohë për të luajtur me ta, që t’u ndihmojnë t’i shohin dhe t’i mendojnë gjërat në mënyra të reja dhe të pazakonshme ashtu që t’i shndërrojnë aktivitetet e zakonshme në ato që nxisin krijimtarinë.   Psikogolët përmendin mënyra të shumta përmes të cilave mund të nxitet kreativiteti te fëmijët, por ne do t’i përmendim vetëm disa prej tyre: Natyra Dobitë e natyrës në zhvillimin e fëmijës janë të shumta. Natyra ndryshon në vazhdimësi dhe ky fakt ofron mundësi të pafundme për të zbuluar, për të krijuar dhe për të zgjidhur probleme. Ajo i frymëzon fëmijët që të mendojnë, të bëjnë pyetje, të ngrehin supozime, dhe të gjitha këto ushqejnë kreativitetin tek ata. Fëmijët mund të bëjnë forma të interesante nga bora, gjethet, etj. ashtu siç mund të vizatojnë në rërë apo thjesht mund të shtrihen në tokë dhe të sodisin qiellin e kaltër apo yjet gjatë natës. Rolet Të luajturit e ndonjë roli, arti dramatik dhe ai imagjinar i nxisin fëmijët që të përdorin imagjinatën e tyre, të shohin përmes perspektivave të të tjerëve dhe të eksplorojnë ndjenjat e tyre duke promovuar kreativitetin. Nxirrni fëmijët në oborrin e shtëpisë dhe luani me ta gjoja se jeni piratë dhe po kërkoni thesarin e fshehur. Sigurojini atyre kostume, enë dhe gjësendet të tjera për të bërë goditje ose mjete të tjera për lojë dhe kështu nxisni ata të luajnë lirshëm me ju në një aktivitet të pastrukturuar. Frymëzoni fëmijët për nxjerrë në pah ndjenjat e tyre përmes një shfaqjeje të kukullave ose vëni në skenë ngjarje të zakonshme. Po ashtu ju mund t’i shkëmbeni rolet në mënyrë që fëmijët të bëhen prindër dhe ju të hiqeni si fëmijë. Art aty për aty Ashtu siç kreativiteti e frymëzon artin, aktivitetet artistike mund të frymëzojnë aftësitë krijuese të të menduarit. Në vend se të angazhoni fëmijët në aktivitete të strukturuara artistike me objektiva qartë të përcaktuara, jepjuani atyre mundësinë që të jenë spontanë dhe të vendosin vet ata se si do të shkojnë këto aktivitete. Sigurojini fëmijëve aso materialesh që mund të përdoren në mënyra të ndryshme. Për shembull, kavanoza të bojërave me tempera, lloje të ndryshme të letrave, furça, sfungjer të lagur dhe të tharë, pupla dhe mjete të tjera ose materiale zbukuruese dhe më pas lini që të vendosin se çfarë punime do të bëjnë me materialet që u keni dhënë në zotërim. Për shembull, Jona mund të përdorë disa gjethe të forta, si mjet për ta bojatisur posterin, përderisa Lumi mund të vendosë që ta përdorë bojën si një ngjitës për ngjitjen e gjetheve mbi letrën e kuzhinës. Inkurajimi i fëmijëve për të qenë spontan dhe vetë-drejtues në këto mënyra inkurajon kreativitetin te fëmijët e të gjitha moshave. Aktivitete ‘jashtë kutisë’ Krijoni lojëra të atilla ashtu që t’i inkurajojnë ata të mendojnë ‘jashtë kutisë’. Kështu ata do të shohin botën nga një këndvështrim tjetër dhe do të shprehin ndjenjat e tyre përmes lëvizjeve dhe veprimeve. Loja klasike ‘qëllo se kush/çfarë është’ i sfidon fëmijët për të përfaqësuar dhe interpretuar njerëz, vende dhe gjëra të ndryshme në mënyra të reja dhe unike. Ide tjetër është t’i vëni fëmijët në një rreth dhe t’u jepni nga një biskotë në formë kafshe. Më pas sfidoni ata që pas ngrënies së saj të “bëhen” kafshë për nja dy minuta, duke adaptuar sjelljet, karakteristikat dhe tiparet e saj. Gjë tjetër që mund të bëni me ta është edhe të lexoni një tregim me zë të lartë dhe t’u kërkoni atyre që të veprojnë varësisht prej ngjarjes që shtjellohet. Në këtë mënyrë do t’ua përforconi aftësinë e të kuptuarit. Pyetjet imagjinare Pyetjet kreative i inkurajojnë fëmijët që të mendojnë për gjërat në mënyra të reja dhe të pazakonta. Kështu, shfletojeni një libër me ilustrime së bashku me ta dhe bëjini atyre pyetje të hapura, të tilla si: “çfarë janë duke bërë këta njerëz në këtë fotografi?” ose “si mendoni se do të ndjeheshit po të ishit flutur?”. E tërë kjo bëhet për t’ua lehtësuar aftësitë krijuese të të menduarit. Luani me një lojë ‘me të qëlluar’ duke u kërkuar atyre që të mbyllin sytë dhe të identifikojnë sendet përmes erës, shijes apo prekjes. Ngjashëm mund t’i përfshini ata në gatimin e ndonjë ushqimi duke ua marrë në konsideratë ndryshimet e tyre të recetës. Nëse veç vendosni të bëni gurabije, ju mund t’i pyesni fëmijët se: “çfarë mund të shtojmë ashtu që gurabijet të shijojnë më ëmbël?” apo “çfarë do t’u jepte gurabijeve një ngjyrë tjetër?” Kufizojeni kohën para ‘ekraneve’ Të qenit prind në kohë dixhitale nuk është aspak e lehtë. Kjo për faktin se vet prindërit kanë pranuar të jenë viktima të teknologjisë së kohës. Televizioni, filmat, kompjuteri, telefoni, tableti, video-lojërat, etj. sot konsiderohen si ‘vrasësit’ më të mëdhenj të kreativitetit të fëmijëve. Fokusi te ‘ekranet’ është mënyrë pasive e mësimit nga fëmijët. Shpëtimi nga kjo duhet kërkuar në ndryshimin e prindërve si model. Aq sa është e turpshme, po aq është e kotë që t’u kërkosh fëmijëve që të abstenojnë nga ‘ekranet’ përderisa vet ata nuk i lëshojnë kurrë nga dora. Prandaj, kufizimi duhet të vlejë së pari për ta. Më pas alternativë do të duhej të ishte nxitja e fëmijëve për të krijuar gjëra të reja dhe ndryshe. Angazhimi i fëmijëve në metoda kinestetike, duke i futur në funksion të gjitha shqisat do t’u hapte atyre mendjen dhe horizontet për ta parë botën në ngjyrat e origjinale dhe të pafundme të saj.

30 Sep, 2023

Dhjetë aktivitetet që nxisin aftësitë e të folurit dhe të dëgjimit te fëmija juaj

Sot janë të shumtë logopedët dhe terapistët që punojnë me fëmijët dhe familjet e tyre për ta përmirësuar komunikimin, për t’i reduktuar vonesat dëgjimore, që i trajtojnë sfidat orale-motorike dhe ato të ushqyerjes. Prej pyetjeve të shpeshta të prindërve janë se çfarë mund të bëjnë në shtëpi për t’u bërë edhe ata angazhues në përmirësimin e aftësive të komunikimit të fëmijës së tyre. Më poshtë janë propozuar dhjetë aktivitete që nxisin aftësitë e të folurit dhe dëgjimit të fëmijës suaj: Krijoni fjali me karta “Fletëza”. Vendosini kartat në një vend të rrafshët. Kërkojini fëmijës që të krijojë një fjali me disa karta! Fillimisht jepini fëmijës suaj disa sugjerime. Ai mund t’i përdor katër deri në pesë karta. Udhëzojeni fëmijën nga fjalitë më të thjeshta deri te ato më komplekse! Pasi i radhitë kartat si duhet, kërkojini që t’i lexojë ato. Përsëriteni këtë aktivitet ngase kartat për fëmijë ofrojnë mundësi të pafundme për ta nxitur të folurit. Ato ndihmojnë në zhvillimin e kontaktit me sy, komunikimit, shqiptimit dhe identifikimit të objekteve ose fjalëve. Përfshijeni fëmijën tuaj në aktivitetet e përditshme. Çdo ndërveprim midis prindit dhe fëmijës është një mundësi për ta përmirësuar komunikimin. Mirëmbajtja e shtëpisë, gatimi, blerja e ushqimeve janë të gjitha aktivitete në të cilat një fëmijë mund të marrë pjesë. Flisni me të gjatë këtyre proceseve dhe bëjini fëmijës pyetje rreth asaj që sheh ose bën. Luajeni “Unë spiunoj” në vende publike. Parqet, qendrat tregtare dhe plazhet janë vende të shkëlqyera për të parë njerëz dhe sende të ndryshme. Fëmija e jep shkronjën e parë të objektit si të dhënë. P.sh. nëse fëmija zgjedh një gomë shpëtimi, ai thotë: “Unë spiunoj me syrin tim të vogël diçka që fillon me shkronjën G”. Lojtarët e tjerë (prindërit në këtë rast) përpiqen që ta gjejnë objektin e duhur duke bërë supozime derisa dikush e gjen përgjigjen e duhur. Më trego çfarë të bëj. Kjo është një lojë argëtuese për fëmijët. Zgjidhni një aktivitet që fëmija juaj di ta bëjë. P.sh. loja e futbollit. Tregojini fëmijës tuaj se ju jeni i interesuar ta bëni këtë aktivitet, por nuk e mbani mend se si bëhet (luhet kjo lojë). Ai duhet t'ju tregojë saktësisht se çfarë të bëni. Aktiviteti mund të jetë një lojë që ju e luani në shtëpi ose jashtë. Lëreni që t'ju japë udhëzime sa më të hollësishme! Çfarë është ai tingull? Kjo është një lojë e shkëlqyer dëgjimi. Shkoni me radhë duke bërë një tingull kafshe dhe fëmija duhet të gjejë se cilës kafshë i përket tingulli. Gjithashtu, ju mund të prisni imazhe nga revista të ndryshme me kafshë që bëjnë tinguj dhe t'i ngjitni ato në letra të vogla. Këto mund të përdoren si shtesa për lojën. Mbaroje tregimin. Filloni ta tregoni një tregim të njohur dhe lëriani radhën fëmijës tuaj. Për shembull, mund të filloni me "Një herë e një kohë ishte një princ". Më pas fëmija shton diçka për princin. Pastaj ju vazhdoni duke i dhënë ndonjë detaj të rëndësishëm të tregimit/përrallës. Fëmija juaj më pas thotë diçka për që e plotëson ngjarjen, e kështu me radhë… Flisni, Flisni, Flisni. Kur bëhet fjalë për foshnjat, ekspertët pajtohen që prindërit duhet të kalojnë kohë ballë për ballë me ta, duke folur dhe ia zbuluar botën në mënyrë përshkruese dhe tërheqëse. Foshnjave u pëlqejnë që tingujt e tyre të jehojnë tek ata. Po ashtu, është e rëndësishme të flasim për emocionet. Fëmijët duhet t’i shohin emocionet e tyre që reflektohen tek ata dhe ata duhet të dëgjojnë fjalët që shpjegojnë se si ndihen. Kjo teknikë e thjeshtë mund t'i ndihmojë ata që të zhvillojnë fjalor dhe përshtatje emocionale. Luhat dhe fol. Nëse fëmija juaj i toleron luhatjet, atëherë merrni parasysh që të punoni në aftësitë e të folurit ndërsa ai luhatet. Ju mund t’ia këndoni shkronjat e alfabetit. Përballuni me të në mënyrë që të ketë kontakt me sy, sa herë që ai vjen drejt jush përmendjani një shkronjë. Ju mund ta bëni të njëjtën gjë edhe me këngë si p.sh. "Qengj i vogël", duke numëruar nga 0 - 10, ose duke prekur një pjesë të trupit tuaj që fëmija juaj më pas ta emërojë. Lojë me elektrik dore. Ky është një tjetër aktivitet interesant. Ngjitni figura ose fjalë (nëse fëmija juaj lexon) në mur. Errësojeni dhomën! Merrni një elektrik dore dhe ndezeni te një foto ose fjalë! Lëreni fëmijën tuaj të thotë fjalën që sheh! Flluska. Fëmijët e të gjitha moshave i duan flluskat! Po ashtu, terapistët i duan ato, sepse është një mënyrë argëtuese për të punuar në shumë aftësi primare. Flluskat nxisin kontaktin me sy përmes pritjes. Ky aktivitet mund të përdoret për të nxitur të folurit duke e bërë fëmijën të kërkojë më shumë ose duke i pyetur se në ç’vend i dëshiron flluskat. Gjithashtu, mësimi i fryrjes së flluskave funksionon në aftësitë orale-motorike të fëmijës suaj. Shpresojmë që të argëtoheni me këto aktivitete. Vonesat në të folur, dëgjim dhe ushqyerje trajtohen më së miri nëse veproni sa më shpejt që të jetë e mundur. Nëse dyshoni se fëmija juaj ka disa vështirësi në të folur, dëgjim ose të ushqyer, ju lutemi që t’i kontaktoni profesionistët e fushave përkatëse për të marrë sa më shumë informacione.