Blog

Dhjetë aktivitetet që nxisin aftësitë e të folurit dhe të dëgjimit te fëmija juaj

30 Sep, 2023

Sot janë të shumtë logopedët dhe terapistët që punojnë me fëmijët dhe familjet e tyre për ta përmirësuar komunikimin, për t’i reduktuar vonesat dëgjimore, që i trajtojnë sfidat orale-motorike dhe ato të ushqyerjes. Prej pyetjeve të shpeshta të prindërve janë se çfarë mund të bëjnë në shtëpi për t’u bërë edhe ata angazhues në përmirësimin e aftësive të komunikimit të fëmijës së tyre.

Më poshtë janë propozuar dhjetë aktivitete që nxisin aftësitë e të folurit dhe dëgjimit të fëmijës suaj:

Krijoni fjali me karta “Fletëza”. Vendosini kartat në një vend të rrafshët. Kërkojini fëmijës që të krijojë një fjali me disa karta! Fillimisht jepini fëmijës suaj disa sugjerime. Ai mund t’i përdor katër deri në pesë karta. Udhëzojeni fëmijën nga fjalitë më të thjeshta deri te ato më komplekse! Pasi i radhitë kartat si duhet, kërkojini që t’i lexojë ato. Përsëriteni këtë aktivitet ngase kartat për fëmijë ofrojnë mundësi të pafundme për ta nxitur të folurit. Ato ndihmojnë në zhvillimin e kontaktit me sy, komunikimit, shqiptimit dhe identifikimit të objekteve ose fjalëve.

Përfshijeni fëmijën tuaj në aktivitetet e përditshme. Çdo ndërveprim midis prindit dhe fëmijës është një mundësi për ta përmirësuar komunikimin. Mirëmbajtja e shtëpisë, gatimi, blerja e ushqimeve janë të gjitha aktivitete në të cilat një fëmijë mund të marrë pjesë. Flisni me të gjatë këtyre proceseve dhe bëjini fëmijës pyetje rreth asaj që sheh ose bën.

Luajeni “Unë spiunoj” në vende publike. Parqet, qendrat tregtare dhe plazhet janë vende të shkëlqyera për të parë njerëz dhe sende të ndryshme. Fëmija e jep shkronjën e parë të objektit si të dhënë. P.sh. nëse fëmija zgjedh një gomë shpëtimi, ai thotë: “Unë spiunoj me syrin tim të vogël diçka që fillon me shkronjën G”. Lojtarët e tjerë (prindërit në këtë rast) përpiqen që ta gjejnë objektin e duhur duke bërë supozime derisa dikush e gjen përgjigjen e duhur.

Më trego çfarë të bëj. Kjo është një lojë argëtuese për fëmijët. Zgjidhni një aktivitet që fëmija juaj di ta bëjë. P.sh. loja e futbollit. Tregojini fëmijës tuaj se ju jeni i interesuar ta bëni këtë aktivitet, por nuk e mbani mend se si bëhet (luhet kjo lojë). Ai duhet t’ju tregojë saktësisht se çfarë të bëni. Aktiviteti mund të jetë një lojë që ju e luani në shtëpi ose jashtë. Lëreni që t’ju japë udhëzime sa më të hollësishme!

Çfarë është ai tingull? Kjo është një lojë e shkëlqyer dëgjimi. Shkoni me radhë duke bërë një tingull kafshe dhe fëmija duhet të gjejë se cilës kafshë i përket tingulli. Gjithashtu, ju mund të prisni imazhe nga revista të ndryshme me kafshë që bëjnë tinguj dhe t’i ngjitni ato në letra të vogla. Këto mund të përdoren si shtesa për lojën.

Mbaroje tregimin. Filloni ta tregoni një tregim të njohur dhe lëriani radhën fëmijës tuaj. Për shembull, mund të filloni me “Një herë e një kohë ishte një princ”. Më pas fëmija shton diçka për princin. Pastaj ju vazhdoni duke i dhënë ndonjë detaj të rëndësishëm të tregimit/përrallës. Fëmija juaj më pas thotë diçka për që e plotëson ngjarjen, e kështu me radhë…

Flisni, Flisni, Flisni. Kur bëhet fjalë për foshnjat, ekspertët pajtohen që prindërit duhet të kalojnë kohë ballë për ballë me ta, duke folur dhe ia zbuluar botën në mënyrë përshkruese dhe tërheqëse. Foshnjave u pëlqejnë që tingujt e tyre të jehojnë tek ata. Po ashtu, është e rëndësishme të flasim për emocionet. Fëmijët duhet t’i shohin emocionet e tyre që reflektohen tek ata dhe ata duhet të dëgjojnë fjalët që shpjegojnë se si ndihen. Kjo teknikë e thjeshtë mund t’i ndihmojë ata që të zhvillojnë fjalor dhe përshtatje emocionale.

Luhat dhe fol. Nëse fëmija juaj i toleron luhatjet, atëherë merrni parasysh që të punoni në aftësitë e të folurit ndërsa ai luhatet. Ju mund t’ia këndoni shkronjat e alfabetit. Përballuni me të në mënyrë që të ketë kontakt me sy, sa herë që ai vjen drejt jush përmendjani një shkronjë. Ju mund ta bëni të njëjtën gjë edhe me këngë si p.sh. “Qengj i vogël”, duke numëruar nga 0 – 10, ose duke prekur një pjesë të trupit tuaj që fëmija juaj më pas ta emërojë.

Lojë me elektrik dore. Ky është një tjetër aktivitet interesant. Ngjitni figura ose fjalë (nëse fëmija juaj lexon) në mur. Errësojeni dhomën! Merrni një elektrik dore dhe ndezeni te një foto ose fjalë! Lëreni fëmijën tuaj të thotë fjalën që sheh!

Flluska. Fëmijët e të gjitha moshave i duan flluskat! Po ashtu, terapistët i duan ato, sepse është një mënyrë argëtuese për të punuar në shumë aftësi primare. Flluskat nxisin kontaktin me sy përmes pritjes. Ky aktivitet mund të përdoret për të nxitur të folurit duke e bërë fëmijën të kërkojë më shumë ose duke i pyetur se në ç’vend i dëshiron flluskat. Gjithashtu, mësimi i fryrjes së flluskave funksionon në aftësitë orale-motorike të fëmijës suaj.

Shpresojmë që të argëtoheni me këto aktivitete. Vonesat në të folur, dëgjim dhe ushqyerje trajtohen më së miri nëse veproni sa më shpejt që të jetë e mundur. Nëse dyshoni se fëmija juaj ka disa vështirësi në të folur, dëgjim ose të ushqyer, ju lutemi që t’i kontaktoni profesionistët e fushave përkatëse për të marrë sa më shumë informacione.

Lini një koment

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyruara janë të shënuara me *