Blog

Roli i kartave në pasurimin e fjalorit te fëmijët

27 Nov, 2023

Fillimisht, më lejoni të shtrojmë një pyetje: A e keni pyetur ndonjëherë veten përse fëmijët e mësojnë kaq shpejt gjuhën e tyre amtare? Përgjigjja është se ata vazhdojnë ta bëjnë të njëjtën gjë në vitet e para të fëmijërisë së tyre. Kjo rutinë zakonisht përfshin një imazh ose pamje të lidhur me një tingull ose fjalë. Kjo është pikërisht ajo që mundësojnë kartat! Ato i ndihmojnë fëmijët në memorizimin dhe kujtimin e fjalëve të reja përmes lidhjes së përsëritur të fjalës me imazhin.

Një kartë është një copë letre me informacionin që dëshironi ta mbani në mend. Për shembull, nëse doni të mësoni një fjalë të caktuar, mund ta përdorni një kartë që e përmban atë fjalë dhe imazhin e lidhur me të. Kur e ktheni kartën, ju do ta shihni përkufizimin e fjalës ose kuptimin e saj. Pra, kartat për fëmijë ju vijnë në ndihmë kur mësoni shprehje ose koncepte të reja.

Kartat përdoren për të testuar dhe përmirësuar kujtesën nëpërmjet përsëritjes së marrjes së informacionit. Të ilustruar me ngjyra, kartat mund të përdoren për të kryer një sërë aktivitetesh dhe lojërash tërheqëse që nxitin një kuptim të qëndrueshëm të koncepteve kryesore. Çdo kartë përmban shprehje dhe një përshkrim grafik në njërën anë dhe përkufizimin e termit në anën e pasme.

Gjithashtu, mësuesit/et nga ana tjetër duhet të jenë të vetëdijshëm për faktin se çdo klasë ka larmi të nxënësve. Rrjedhimisht, mësueset duhet të bëjnë përpjekje për t’u lidhur me të gjithë tipat e nxënësve gjatë një viti. Është veçanërisht e rëndësishme të lidheni me nxënësit vizualë, pasi ata përbëjnë një segment të konsiderueshëm të popullsisë. Kartat e qarta dhe shumëngjyrëshe mund të kenë një ndikim të madh te nxënësit vizualë.

Kartat janë një produkt fantastik, ndërsa ato mund të përdoren në çdo moment. Ato janë një mënyrë e shkëlqyeshme për ta mësuar, praktikuar dhe ripërsëritur fjalorin. Në anën tjetër këto karta janë një gjetje e mirë edhe për kontributin e prindërve në edukimin e fëmijëve. Ka shumë përparësi të tjera të përdorimit të këtyre kartave për mësimin e gjuhës:

Janë ideale edhe për fëmijët më kokëfortë

Mund t’i shpërndani kartat në një tavolinë, t’i ktheni dhe t’i përzieni. Pastaj fëmijët mund t’i marrin ato, ta studiojnë imazhin dhe konceptin. Në këtë proces, ata do të mësojnë shprehjen përkatëse. Ato janë perfekte për duart boshe… e po ashtu për trurin bosh. Ato janë një teknikë e shkëlqyer për t’i përfituar edhe fëmijët më kokëfortë.

Luani dhe mësoni në një mori mënyrash

Metoda e rrotullimit dhe zbulimit është teknika më tipike e mësimit përmes lojës, por për këtë ju duhet pak kreativitet. Mund t’i përzieni dhe të bëni lojëra duke testuar kujtesën e fëmijës ose të përdorni nëngrupe kartash si pjesë e një loje më të madhe.

Të lehta për t’u mbajtur

Kutia në formë kubi e kartave “Fletëza” është shumë e lehtë për t’u mbajtur. Nuk zë vend të madh, ndërsa mund të paloset me gjërat tjera në formë të përkryer nëse dëshironi ta merrni në udhëtime. Këto karta ofrojnë argëtim për fëmijët për të luajtur në kohë të lirë, gjatë udhëtimit, ose në raste të tjera. Aq sa janë të dobishme për mësueset, po aq janë edhe për prindërit, të cilët në orët e mbrëmjes mund t’i ndihmojnë fëmijët në pasurimin e fjalorit.

Vetëm ajo që ju duhet!

Vetëm informacioni më i rëndësishëm shfaqet në këto karta. Çdo informacion i panevojshëm është i eliminuar. Disa fëmijë e kanë të vështirë të përqendrohen në një faqe me shumë elementë të tjerë shpërqendrues. Një “fletëz” ju jep vetëm atë që duhet ta dini. Kjo ua lehtëson fëmijëve që ta ruajnë fokusin e tyre – veçanërisht atyre në mosha më të vogla.

E përshtatshme për prindërit

Kartat janë një mënyrë e shkëlqyer për ta përfshirë tërë familjen. Edhe nëse prindërit nuk e kuptojnë çdo temë në të gjitha nivelet, ata mund të përdorin kartat për t’i vlerësuar njohuritë e fëmijëve të tyre, sepse atyre u mbetet vetëm ta kthejnë kartën për ta konfirmuar përgjigjen e duhur. Nuk është vetëm një qasje efektive për t’ua vlerësuar atyre njohuritë, por gjithashtu u mundëson prindërve të kalojnë kohë cilësore me fëmijët e tyre, duke u argëtuar duke u ofruar atyre aktivitete akademike.

Mjete të shkëlqyera rishikimi

Kur studentët mësojnë për një lëndë për herë të parë, është e rëndësishme që ata ta lexojnë tekstin shkollor për të kuptuar më mirë temën. Megjithatë, kur testet afrohen, nuk është gjithmonë praktikë e mirë leximi pa pushim i tekstit shkollor. Por kjo nuk vlen me kartat, ngase ato ofrojnë përherë përvojë të re nga e para.

Ndihmon në rritjen e vetëbesimit

Kartat u japin fëmijëve një ndjenjë vetëbesimi, sepse i ndihmojnë ata t’i mbajnë në mend gjërat për një periudhë më të gjatë kohore. Duke qenë se është një material i ndarë në copa, ato janë më të menaxhueshme se librat dhe botimet e tjera që janë të lidhura. Kësisoj, ju jeni në gjendje që t’i ndani ato në tufa bazuar në faktin nëse (ose sa shpesh) duhet t’i përdorni përsëri. Më pas, mund t’i praktoni më shpesh konceptet në të cilat nuk keni besim, duke iu kthyer herë pas here për rishikim tek ato për të cilat keni besim.

Praktika e përsëritjes e bazuar në besim është vërtetuar se është mënyra shkencore më e optimizuar për ta përmirësuar performancën e kujtesës.

Përparësitë e kartave në edukimin e hershëm

Kartat i ndihmojnë fëmijët që t’i zhvillojnë njohuritë dhe aftësinë e tyre kognitive, si dhe kujtesën e tyre vizuale.

Për shkak se hapësira e vëmendjes së fëmijëve është jashtëzakonisht e shkurtër, kartat ua lehtësojnë prindërve/mësueseve që të japin copëza të njohurive në një mënyrë të paharrueshme dhe më tërheqëse.

Fëmijët mund të krijojnë lidhje duke i përdorur “Fletëzat”. Ato mund të përdoren për ta identifikuar një fjalë të njohur me ekuivalentin e saj në një gjuhë të huaj kur bëhet fjalë për mësimin e gjuhës. Në mënyrë të ngjashme, ato mund të përdoren për ta lidhur një shprehje me konceptin e saj në matematikë, shkencë, art… Kur ju ua shpalosni atyre fotot dhe fjalët, truri i tyre krijon lidhje që i ndihmojnë ata të njohin gjënë kur ta shohin përsëri.

Kartat janë një metodë e dobishme për ta stimuluar fëmijën teksa ai/ajo mëson tema të reja. Meqenëse ato janë kaq efektive, metoda e kartave është bërë e njohur brenda kopshteve dhe shkollave në vendin tonë, si dhe ndërkombëtarisht. Në këtë proces, kartat mund ta shndërrojnë procesin e mësimit në një aktivitet tërheqës dhe të këndshëm.

Lini një koment

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyruara janë të shënuara me *