Blog

Zhvillimi i aftësive gjuhësore dhe shkrim-leximit për fëmijët nga 12 deri në 24 muaj

30 Jan, 2024

Ideja se foshnjat dhe vogëlushët mund të flasin dhe të lexojnë duket e pabesueshme. Mbase nuk është e nevojshme që t’u “jepni mësime” fëmijëve të vegjël, por t’i mësoni që t’i zhvillojnë aftësitë e tyre gjuhësore dhe shkrim-leximin, kjo tashmë nuk do diskutim.

Sigurisht se me ta nuk mund të debatoni rreth rritjes së tatimeve, apo të prisni që ta kuptojnë librin më të ri të Harry Potter, por aftësitë gjuhësore dhe shkrim-leximi mund të fillojnë goxha herët – që nga lindja. Të shikoni fëmijën tuaj dhe të mësoni atë se si të komunikojë përmes tingujve, shprehjeve të fytyrës dhe gjesteve janë të gjitha mënyra të rëndësishme për ta ndihmuar atë ta mësojë të folurit dhe shkrimin.

Aftësitë e hershme të të folurit dhe të shkrim-leximit mësohen më së miri përmes çasteve të përditshme me fëmijën tuaj – duke lexuar libra, duke folur, duke qeshur dhe duke luajtur së bashku. Fëmijët e mësojnë gjuhën kur ju komunikoni me ta, duke i dëgjuar tregimet që ua lexoni dhe përmes këngëve të kënduara me zë të lartë. Fëmijët i zhvillojnë aftësitë e hershme të shkrim-leximit kur ua jepni atyre mundësinë që të luajnë dhe të eksplorojnë libra dhe materiale të tjera të shkruara si revista, gazeta, broshura, lapsa dhe shkumësa me ngjyra.

Gjuha dhe shkrim-leximi, megjithëse janë dy aftësi të ndryshme, ndërtohen mbi njëra-tjetrën në forma të ndryshme.

Çfarë mund të bëni

Bisedoni me fëmijën tuaj

Hulumtimet kanë treguar se sa më shumë që prindërit flasin me fëmijët, aq më shumë ata do ta zhvillojnë fjalorin e tyre. Gjithashtu, këta fëmijë përdorin struktura fjalish më të avancuara. Kështu që bisedoni me vogëlushët tuaj – në makinë, në park, gjatë kohës së banjës dhe kudo që ju e shihni të nevojshme!

Kundroni dhe ndërtojini interesat e fëmijës suaj

Fëmija juaj do t’ju tregojë se çfarë i intereson dhe e emocionon atë duke përdorur veprimet, shprehjet e fytyrës dhe fjalët. Kur ai bën me shenjë nga dritarja ose ju hedh një vështrim pyetës, atëherë ju shprehni veprimet e tij me fjalë: Po, çfarë ka atje jashtë? Kështu nxiteni një bisedë me të lidhur me atë që e rrethon shtëpinë tuaj.

Përdorni fjalë të reja kur flisni me fëmijën tuaj.

Hulumtimet tregojnë se përdorimi i shpeshtë i një fjale të re e ndihmon vogëlushin tuaj ta pasurojë fjalorin më shpejt!

Për shembull, nëse përpiqeni t’i mësoni fëmijës suaj fjalën “më shumë”, mund të thoni: “Unë kam më shumë qumësht! A dëshiron ti më shumë? Le të shtojmë më shumë qumësht në gotën tënde!” Duke e thënë fjalën më shumë në tri fjali me radhë, ne ofrojmë përsëritje të asaj fjale.

Emërtoni fotot në libra

Vini në dukje lidhjet midis librave dhe jetës “reale” të fëmijës suaj. Për shembull, pasi të shihni foton e një autobusi në një tregim që jeni duke ia lexuar, ju mund ta shihni një të tillë më vonë në rrugë po atë ditë. Ndihmojeni atë që të bëjë lidhjen me tyre!

Bëni pyetje ndërsa lexoni

Ku është bleta? Çfarë jep bleta? Paraprakisht, ju mund t’i bëni fëmijës suaj pyetje si: a dëshiron të lexosh një libër? Çfarë libri dëshiron ta lexosh? Shumë shpejt fëmija juaj do ta marrë një libër dhe t’jua sjellë për t’ia lexuar.

Mos i bëni të mëdha gabimet gjuhësore

Nuk ka nevojë që ta korrigjoni fëmijën tuaj. Thjesht përsëriteni shqiptimin e saktë. Nëse fëmija juaj thotë, “Lina”, ju mund t’i përgjigjeni duke thënë: “A vjen të ulemi në tavolinë që të hamë mëngjes, njam, njam…!”. Kështu i jepni fëmijës tuaj një shans për ta dëgjuar se si tingëllon fjala. Një gjë duhet të kihet parasysh, e ajo është se nëse korrigjoni çdo fjalë të fëmijës tuaj, atëherë ju do ta bëni të hezitojë për të përdorur fjalë të reja.

Bëhuni përkthyes

Nëse të tjerët kanë vështirësi që t’i kuptojnë fjalët e fëmijës suaj, atëherë ju “përkthejeni” atë që ai thotë. Fillimisht, jepini fëmijës suaj mundësi të shprehet dhe më pas shpjegojeni: “Mali po ju thotë se ky është kamioni i tij i ri që e ka marrë dhuratë nga gjyshi.”

Përsëritni

Zgjidhni libra me histori që përsërisin fjalë ose fraza. Fëmijët mësojnë fjalë dhe shqiptime të reja përmes përsëritjes. Një zgjedhje e mirë për këtë grupmoshë është “365 Rrëfenja para gjumit”, nga grup autorësh. Po ashtu, zgjedhje të tjera të mira librash janë edhe ato që:

  • Inkurajojnë fëmijën tuaj të flasë, si p.sh. libra që parashtrojnë pyetje të thjeshta;
  • Libra me figura të qarta të objekteve të zakonshme; dhe
  • Tregime të thjeshta me përfundime të parashikueshme.

Lexoni sa shumë libra me fëmijën tuaj

Leximi së bashku e ndihmon fëmijën tuaj që ta zhvillojë dashurinë për leximin. Gjithashtu, e ndihmon atë t’i mësojë aftësitë për të lexuar libra (të tilla si kthimi i faqeve, leximi i fjalëve, biseda rreth figurave, etj). Po ashtu, leximi me zë ushqen aftësitë gjuhësore dhe të dëgjimit të fëmijës suaj.

Pranojeni se jo të gjithë librat janë interesantë

Fëmijët e vegjël kanë (mos)pëlqimet e tyre. Ndiqni udhëzimet e fëmijës suaj dhe lëreni atë të vendosë se cilat libra t’ia lexoni. Ta detyrosh një fëmijë që ta dëgjojë patjetër një histori ia largon dëshirën për shkrim-leximin.

“Lexojeni” botën përreth jush

Vini në spikamë shenjat e ndalimit, shenjat e hapur/e mbyllur në dyqane, tabelat në rrugës… Lëreni fëmijën tuaj të luajë dhe t’i “lexojë” të gjitha llojet e materialeve të shkruara, qofshin ato revista, gazeta, katalogë, reklama, etj që gjenden në shtëpinë tuaj.

Lërini të lëvizin

Vazhdoni të lexoni, ngase fëmijët shpesh janë ende duke dëgjuar edhe kur lëvizin përreth jush. Në fakt, disa fëmijë, të cilët kanë një nevojë të fortë për të lëvizur, dëgjojnë më mirë kur janë në lëvizje!

Rrëfejani fëmijës suaj një ngjarje

Në vend që ta lexoni një libër, tregoni fëmijës suaj një ngjarje nga jeta juaj. Fëmijët fitojnë aftësi të rëndësishme të shkrim-leximit edhe duke dëgjuar. Ata mësojnë fjalë të reja. Gjithashtu, ata mësojnë se si një ngjarje shpaloset në një sekuencë (fillim, mes dhe fund). Lëreni leximin e librit kur fëmija juaj tregon se nuk është i interesuar.

Ndiqni drejtimin e fëmijës suaj dhe bëni disa lojëra aktive për një kohë

Kthehuni te libri më vonë! Detyrimi i fëmijëve për të lexuar mund t’ia ngjallë averzionin për librat.

Lëreni fëmijën tuaj t’ju ndihmojë në “leximin” e librit

Lëreni fëmijën tuaj të mbajë librin dhe t’i kthejë faqet! Kjo e ndihmon atë të mësojë se si funksionon një libër. Shihni nëse ai do të dëshironte t’jua lexonte në çfarëdo mënyre që i pëlqen. Ai mund t’ju dëftojë fotografitë dhe t’ju kërkojë t’i thoni se cilat janë ato. Ngjashëm, ai mund t’ju llafosë ndërsa “lexon” fjalët në secilën faqe.

Flisni për fotot në libër

Lepurushi është lodhur. Tani ai është shtrirë në shtratin e tij. Ai po shkon të flejë. Flej, natë, lepur. Të folurit rreth figurave i ndihmon fëmijët që të zhvillojnë një kuptim më të mirë të asaj që po ndodh në tregim. Ndonjëherë, në vend që t’i lexoni fjalët aktuale në libër, thjesht mund të flisni për fotografitë në secilën faqe.

Lini një koment

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyruara janë të shënuara me *